Zëdhënësi i PDK-së tregon logjikën e marrjes së vendimeve nga qeveria Kurti
Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, ka treguar logjiken e marrjes se vendimeve në qeverinë Kurti.
Ai ka thënë se qeveria fillimisht merr vendim që është në kundërshtim më rekomandimet e ShBA-së dhe BE-së, më pas e zgjat periudhën kundërshtuese dhe në fund dorëzohet.
Sipas tij, kjo logjikë i ka sjell dëme Kosovës.
“Që qysh punon qeveria Kurti tash e sa kohë. 1) Hapi i parë – Marrja e vendimit që do të jetë në kundërshtim të plotë me rekomandimet e ShBA-së dhe BE-së. Sa për ilustrim tash së fundi rasti me ndalimin e hyrjes së prodhimeve serbe në Kosovë- motoja e vuvuzelave politike për këtë qasje dhe të tjera të ngjashme – ‘jo nënshtrim’, 2) Hapi i dytë- Zgjatja e kësaj periudhe kundërshtuese, sa më shumë që është e mundur që i nervozon ndërkombëtarët, por sjell simpati politike, sidomos tek pjesa militante dhe tek ata që kanë antipati ndaj ndërkombëtarëve, sidomos amerikanëve – motoja e vuvuzelave politike është ‘po vjen era shtet’. 3) Hapi i tretë – Lëshimi pe, dorëzim i plotë, pranimi i asaj që rekomandonin ndërkombëtarët, sa për ilustrim, vendimi që të lejohet hyrja e mallrave serbe – motoja e vuvuzelave politike ‘ky është pragmatizëm’”, ka shkruar Abdullahu në “Facebook”.
.