Zëdhenësi i qeverisë: Shpenzimet e Kurtit mbulohen nga Greqia

14 korrik 2021 | 11:02

Përparim Kryeziu, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, ka arsyetuar vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Greqi, duke thënë se po merr pjesë në dy konferenca të rëndësishme, derisa në Deçan janë helmuar mbi një mijë persona.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se gjatë qëndrimit në dy konferenca atje, kryeministri Kurti zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe politikë.

Kryeziu ka theksuar se bashkëshortja e kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit.

Sipas tij, shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit për Kurtin mbulohen nga organizatori.

Postimi i plotë i Kryeziut:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është në vizitë zyrtare në Greqi që nga data 8 korrik.  Ai ka udhëtuar në Athinë me ftesë të organizatorëve të dy konferencave të rëndësishme, në të cilat kryeministri Kurti ka qenë pjesë e panelit të diskutimit.

Fillimisht, me 9 korrik, kryeministri Kurti ishte pjesëmarrës në tryezën e rrumbullakët të organizuar nga “The Economist” dhe Qeveria e Greqisë. Aktualisht, po merr pjesë në Simpoziumin SYMI.

Sivjet është hera e katërt që kryeministri Kurti po merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku politikanë progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota ftohen bashkë me familjet e tyre. Edhe vitin e kaluar, sikurse sivjet, simpoziumi po mbahet saktësisht në të njëjtin vend, në Lagonissi afër Athinës, dhe edhe kësaj radhe bashkëshortja e Kryeministrit merr pjesë në njërin nga panelet e simpoziumit. Shpenzimet e udhëtimit dhe të akomodimit mbulohen nga organizatori.

Postimet nga pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në vitet e kaluara mund t’i shihni këtu:

https://www.facebook.com/albini2017/posts/927956037704281

https://www.facebook.com/albini2017/posts/641782839654937

https://www.facebook.com/albini2017/posts/402236570276233

Gjatë qëndrimit në dy konferenca atje, kryeministri Kurti zhvilloi takime të shumta me përfaqësues të lartë qeveritarë dhe politikë, sikurse ai me kryeministrin e Greqisë, z. Mitsotakis, ministrin e Punëve të Jashtëm, z. Dendias, ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, z.Panagiotopoulos  dhe liderin e opozitës, z. Tsipras, si dhe zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, z. Schinas dhe politikanë e diplomatë nga rajoni dhe bota.

Pas takimit të djeshëm me ministrin e Punëve të Jashtme, z.Dendias, kryeministri Kurti ka biseduar në telefon me kryetarin e Komunës së Deçanit, z. Ramosaj dhe me ministrin e Shëndetësisë, z.Vitia më të cilin bisedoi gjersa ai po qëndronte në Deçan. Dje në Deçan ishin edhe Presidentja e vendit, znj. Osmani,  zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Gërvalla dhe ministri i Mbrojtjes, z. Mehaj.

Të helmuarve ju dëshirojmë edhe njëherë shërim të shpejtë. Po bëjmë gjithçka me të gjitha mundësitë, që së bashku të tejkalojmë këtë gjendje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sindikata e Punëtorëve të Administratës Tatimore të Kosovës pas ngritjes…