Zëdhënësi i qeverisë: Shtimi i masave ndaj Kosovës e shton padrejtësinë, pse s’ka sanksione ndaj Serbisë?
Prishtinë, 9 gusht – Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeizu, i është përgjigjur paralajmërimit të Bashkimit Evropian (BE) rreth mundësisë se shitimit të masave ndaj Kosovës.
Ai ka thënë se koha e ka dëshmuar që masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta. “Masat nuk janë zgjidhje. Koha e ka dëshmuar që masat e BE-së ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta. Ato vazhdojnë të jenë të tilla për aq kohë sa janë në fuqi. Shtimi i tyre vetëm sa do ta thellonte padrejtësinë. Në anën tjetër shtrohet pyetja çfarë masa ndërmori BE-ja ndaj Serbisë e cila pas sulmit terrorist dhe paramilitar shpalli Ditë Kombëtare Zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë, kreun e të cilëve, Millan Radoiçiq e strehon dhe financon?”, ka thënë Kryeziu për “RTV21”.
Duke folur për mbylljen e nëntë zyrave të Postës së Serbisë në Veri të Mitrovicës si dhe hapjen e Urës së Ibrit, Kryeziu tha se Kosova ka nevojë për mbështetjen e BE-së por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të respektimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.
“Ne kemi nevojë për mbështetjen e BE-së por edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, sidomos në fushën e sundimit të ligjit dhe të respektimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Mbyllja e nëntë zyrave të Postës së Serbisë të cilat kanë operuar pa licencës dhe në mënyrë ilegale, është çështje e sundimit të ligjit. Ndërkaq hapja e urës së Mitrovicës mbi lumin Ibër është çështje e lirisë së plotë të lëvizjes, sundimit të ligjit dhe respektimit të marrëveshjeve të dala nga Brukseli që në vitin 2015, përveçse kontributi i drejtpërdrejt i integrimit të mëtejmë të qytetarëve tanë”, ka thënë Kryeziu.