Zëdhënësja e BE-së në Kosovë: Rusia përmes propagandës po tenton të prish rrugën e integrimit të Ballkanit Perëndimor
Ballkani Perëndimor po përballet me dezinformata nga Rusia, përmes të cilave kjo e fundit përpiqet të pengojë integrimin e tij në Bashkimin Evropian.
Zëdhënësja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ioanna Lachana thotë në një intervistë për The Geopost se në Kosovë, Rusia përpiqet të përhap narrativa pro-Kremlinit dhe të hedh çdo gjë që është pro-perëndimore në një dritë negative, transmeton Klan Kosova.
Sipas saj, në momentin që kjo propagandë përsëritet, mund të ketë njerëz që fillojnë të ushqejnë ndjenjat antiperëndimore.
“Nëse informacioni manipulohet, preket edhe diskursi ynë publik. Dhe Ballkani Perëndimor, natyrisht, nuk bën përjashtim. Edhe këtu shohim ndërhyrje, veçanërisht nga Rusia, e cila po përpiqet të prishë rrugën e partnerëve të Ballkanit Perëndimor, rrugën e tyre në BE dhe rrugën e integrimit në BE. Sigurisht, askush nuk mund ta luftojë këtë fenomen i vetëm. Asnjë vend nuk mund ta luftojë i vetëm këtë fenomen. Ne të gjithë duhet të punojmë së bashku, të gjitha vendet së bashku, komuniteti i mbrojtësve dhe sigurisht të gjithë të përfshirët”, thotë ajo.
Për strategjinë e re të SHBA-së për të luftuar dezinformimin në Evropë, veçanërisht në Ballkan, Lachana thotë se përfshinë mbështetjen e demokracive, mbështetjen e mediave të lira si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Derisa thotë se ndikimi i Rusisë po përhapet në të gjithë rajonin, zëdhënësja e BE-së në Kosovë thekson se e njëjta përdor taktika të ndryshme. Ajo tërheq vëmendjen për kujdes, pasi thekson se dezinformatat ruse, sidomos në Kosovë, mund të nxisin tensione.
“Ata përdorin llogari të rreme, bot, përdorin shumë rrjetet sociale, përdorin shumë inteligjencën artificiale, por edhe përkthimin me makinë, në mënyrë që produkti i tyre të bëhet i disponueshëm për gjithnjë e më shumë audienca, veçanërisht audienca lokale… Në momentin që propagnda përsëritet, mund të ketë njerëz që fillojnë të ushqejnë ndjenjat antiperëndimore. Dhe për mendimin tim kjo është e keqe, sepse në Kosovë, për shembull, ka shumë mbështetje për integrimin në BE dhe natyrisht një popullatë properëndimore. Imagjinoni se çfarë do të ndodhte nëse kjo rrëfim do të zbatohej. Njerëzit do të ishin më pak të prirur për ta parë Kosovën si pjesë të Bashkimit Evropian ose për të ndërmarrë reformat e nevojshme për t’u bërë anëtare e BE-së, për shembull. Ose pamë edhe propagandë lidhur me tensionet ndëretnike se këtu mund të shpërthejë një luftë e re. Kjo sigurisht që është shumë e rrezikshme dhe madje mund të ndezë tensionet”, thekson ajo.