Zëdhënësja e PSD-së pyet Kurtin se çfarë mendon ai për raportin e Dick Martyt?
Natyra Kuçi e cila është zëdhënëse e Partisë Socialdemokrate, ka reaguar pas deklaratave të Shkëlzen Gashit dhe shkarkimin e tij nga Albin Kurti.
Kuçi ka thënë se Kurti në deklaratën e tij të shkarkimit nuk ka dhënë asnjë koment rreth deklaratës së Shkëlzen Gashit dhe pyet nëse Kurti mund të tregohet një herë i sinqertë dhe të flas se çfarë mendon për raportin e Dick Martyt.
“Kurti po thotë që deklaratat e Shkëlzen Gashit e kanë shpërqëndruar opinionin publik nga punët e mira të qeverisë. Mirë. A ka ndonjë deklaratë Kryeministri për deklaratën e Shkëlzenit? A mund të tregohet i sinqertë një herë e të thotë se çka mendon me të vërtetë ai për raportin e Dick Martyt dhe trafikimin e organeve njerëzore?”, ka shkruar Natyra Kuçi.
Tutje zëdhënsja e partisë që drejtohet nga Dardan Molliqaj, thotë se heshtja e Kurtit rreth kësaj teme lë të kuptohet që Kurti pajtohet me Shkëlzen Gashin por që s’mund ta thotë një gjë të tillë publikisht.
“Apo, që po duket e vërtetë, heshtja e tij dhe anashkalimi i temës po lënë të nënkuptohet që ai pajtohet me Shkëlzenin, veç nuk mund ta thotë publikisht sepse del keq në opinionin publik. Pra, kur dikush ja nxjerr imazhin e vërtetë të qeverisë, përgjigja është të strukesh sa më mbrapa imazhit të mirë dhe ta heshtësh atë temë që të mos përfundosh sikur ai dikushi”, ka përfunduar Natyra Kuçi.