Zeka: BE-ja e Quinti t’i bëjnë presion Serbisë për Millan Radojqiqin
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme (MPB), Izmi Zeka, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe vendet e Quintit që t’i bëjnë presion Beogradit që ta kthejë në Kosovë të dyshuarin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, Millan Radojqiqin.
“Brukseli duhet të bëjë presion që Millan Radojqiqi t’i kthehet organeve të drejtësisë së Kosovës. Absurditeti më i madh është kur një qytetar i Kosovës siç është Millan Radojqiqi të merret në pyetje nga organet e drejtësisë së Serbisë”, ka shkruar Zeka në llogarinë e vet në “Facebook”
Postimi i plotë i Zekës:
Brukseli dhe shtetet e Quintit duhet t’i bëjnë presion Beogradit që të kthej të akuzuarin për vrasjen e Oliver Ivanoviqit në Kosovë Millan Radojqiqin
Shteti i Kosovës tani edhe planin ndërkombëtar duhet të bëjë trysni që Serbia të mos përkëdhelet por të shihet si aspekt i barabartë me shtet tjera e në këtë rast me Kosovën.
Se çfarë ndikimi ka mos anëtarësimi i Kosovës në Interpol tregon edhe fakti i fundit ku Millan Radojqiqi me dokumentacion të Kosovës por edhe shtetas i Kosovës kalon në serbi dhe nuk kemi kurrfarë reagimi ndërkombëtar. Unë nuk po prejudikoj vendimin e gjykatës në Kosovë megjithatë mbete i dyshuar për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.
Brukseli duhet të bëjë presion që Millan Radojqiqi t’i kthehet organeve të drejtësisë së Kosovës. Absurditeti më i madh është kur një qytetar i Kosovës siç është Millan Radojqiqi të merret në pyetje nga organet e drejtësisë së Serbisë. Habit fakti se si nuk pati as edhe një reagim për mbrojtje të rendit dhe ligjit e po ashtu edhe për luftimin e krimit të organizuar por edhe njerëzve të dyshuar për vrasje çfarë është Radojqiqi. Efektet e mos anëtarësimit në Interpol po shihen edhe në këtë rast.
Prandaj kërkoj nga shtetet e Quintit dhe ShBA-ja që t’i bëjnë presion Serbisë që qytetarët e Republikës së Kosovës të cilët dyshohen për vrasje apo edhe raste tjera ti kthen Kosovës. Para ligjeve të Kosovës të gjithë janë të barabartë.
Shtrohet pyetja mbi çfarë baze juridike Serbia mban të akuzuarin dhe shtetas të Kosovës në shtetin e saj dhe presidenti i Serbisë tregon për pafajësinë e tij. Ky është absurdi i llojit të vet.
/Epoka e re/