Zeka: Do të tregoj kush është takuar me BIA-n serbe dhe është fshehur me qebe nga policia
Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Nismës për Kosovës, Milaim Zeka, ka bërë me dije se ka sjellë një dosje me 900 emra të cilën ia ka dhënë shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetvendosje, Glauk Konjufcës.
“Unë sot e kam marrë një dosje me 900 emra, me numra të telefonit, do ia dorëzoj në mënyrë simbolike shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufcës”, ka thënë Zeka.
Zeka gjithashtu ka thënë se “nuk lejohet që një deputet të bëjë akuza, përderisa një lëndë është në proces gjyqësor”.
“E kam thënë publikisht dhe e them përsëri, në qoftë se Milaim Zeka e ka mashtruar një qytetar të Kosovës ose i ka marrë 1 euro për viza, unë jap dorëheqje nga posti i deputetit”, ka thënë Zeka.
Ai është shprehur se pret që brenda një jave Glauk Konjufca t’i kthejë përgjigje dhe pastaj Zeka do të përgjigjet me siç i quan ai “fakte rrëqethëse”.
“Pres një javë që shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje të më japë përgjigje dhe unë do t’i përgjigjem dhe t’i flas me fakte rrëqethëse edhe për ata deputetë që kanë shkuar për trajtim te Burdushi”, ka thënë Zeka.
Zeka gjithashtu në fjalimin e tij përmendi edhe BIA-n serbe.
“Do të shohim pastaj kush është pacient i Burdushit, kush është hajn i taksapaguesve, kush është taku me BIA-n serbe dhe është fshehë me qebe mos me pa Policia e Kosovës”, ka thënë Zeka /Lajmi.net/