Zeka i PDK-së: Për shkak të ‘diplomacisë së vdekur’ po mbesim pa u futur në Këshillin e Evropës
Anëtari i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Izmi Zeka, ka thënë se për shkak të “diplomacisë së vdekur” Kosova është duke mbetur pa u futur në Këshillin e Evropës (KiE).
Në këtë kontekst, Zeka ka thënë se letra e kryediplomates Donika Gërvalla për Asociacionin është tallje për udhëheqjen e Këshillit të Evropës (KiE).
“Kjo tallje e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë do të ketë kosto për Kosovën. Letra e sotme drejtuar udhëheqjes së Këshillit të Evropës i ngjanë lojës fëmijërore që shikuar nga prizmi diplomatik paraqet mosnjohje dhe respektim të vetë Kosovës por edhe funksionimit të diplomacisë evropiane. E bëjmë se bëjmë, e dërgojmë se dërgojmë në kushtetuese, jemi shtet nuk mund të përziheni e kësi lloj retorike e kanë bërë Kosovën një shtet për të mos u marr seriozisht nga askush. Qeveria e Kosovës është duke menduar se ka të bëjë me simpatizantët e saj besnik apo edhe me fjalorin patetik të strukturuar për militantë e që me këtë filozofi luan me ndërkombëtarët. Tani edhe ashtu askush nuk i beson fjalës së Albin Kurtit në Evropë. Për kryeneçësi dhe diplomaci të vdekur po mbesim pa u futur në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Zeka në “Facebook”.