Zeka: Individët nuk mund t’ia humbin imazhin institucioneve të sigurisë
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme (MPB), Izmi Zeka, në 10-vjetorin e pavarësisë, ka thënë se Kosova ka shënuar hapa të rëndësishëm të zhvillimit të saj.
Në këtë kontekst, ai ka thënë se nevojitet kohë e gjatë për të përshkruar sukseset e MPB-së.
“Në çdo institucion e sidomos të një shteti të ri siç është Kosova, mund të kemi raste të izoluara, por assesi raste të cilat dëmtojnë imazhin e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) dhe Policisë së Kosovës (PK) në të cilat kemi bërë investim në resurset njerëzore dhe profesionale”, ka thënë Zeka për “Indeksonline”.
Opinioni i krijuar ditëve të fundit për këto institucione, sipas Zekës, nuk duhet të shikohet vetëm në aspektin negativ, pasi që këto institucione kredibile kanë marrë edhe vlerësime pozitive nga miqtë tanë ndërkombëtar dhe krahasuar me shtetet e Ballkanit perëndimore këto institucione janë të standardeve evropiane.
“Vitin e kaluar ka pasur rezultate të prekshme në sundimin e ligjit dhe në luftimin e dukurive negative. IPK-ja dhe Policia punon në bazë të legjislacionit në fuqi dhe secili individualisht është përgjegjës për veprimet e tij ose saj”, ka deklaruar Zeka.
I pyetur se si e sheh suspendimin e kreut të IPK-së, Hilmi Mehmeti, Zeka ka thënë se ky veprim ka qenë kompetencë ekskluzive e ministrit të MPB-së, Flamur Sefaj dhe ky rast është duke u trajtuar nga organet respektive të Republikës së Kosovës.
“Institucioni i IPK-së është një institucion i pavarur dhe si i tillë është investuar gjatë në të, prandaj ky institucion me punën e tij ka bërë që performanca dhe rezultatet e policisë të jetë në nivelin dhe standardet që kërkohen nga MPB-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka theksuar Zeka.
Sipas tij, duhet kuptuar të gjithë pa përjashtim se para ligjit nuk është imun askush.
“Imazhi i një institucioni nuk dëmtohet nga rastet e caktuar individuale. Ata të cilët bien ndesh me ligjin, sipas tij, do të marrin përgjigjen e merituar para organeve kompetente”, ka thënë Zeka.