Zeka: Interesim i jashtëzakonshëm për partinë time
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Milaim Zeka në një intervistë për “Përballje ditore” për “Telegrafin” ka folur rreth partisë së re të tij, e cila quhet Partia Euroatlantike e Kosovës (PEK).
Ai ka thënë se në partinë e tij do të kenë hapësirë edhe diaspora.
Gjithashtu, Zeka ka thënë se ka interesim të jashtëzakonshëm nga brenda por edhe jashtë Kosovës, për partinë e tij.
Ai gjatë intervistës ka treguar edhe disa nga risitë që do t’i ketë partia që ai do ta drejtojë.
“Risia e kësaj partie është sepse në listat e kandidateve për deputetë hapësirë kanë 55 figura nga diaspora. Ne do të bëjmë vetting nga deputetët tonë, do t’ia dërgojmë listën e deputetëve drejtorit të Policisë së Kosovës, që t’i bëhet vettingu çdo anëtari për deputet. Nuk do të ketë më biznesmen kosovar që do të paguajë TVSH. Do të bëjmë një bankë e cila do të quhet banka e mërgatës shqiptare, do t’i japim bujkut kredi me 2 për qind interes, nuk do të ketë student në Kosovë pa kredi, ai do ta merr me kamatë 2 për qind dhe do ta kthejë në momentin kur të hyjë në punë. Nëse 10 vjet nuk hynë në punë ai nuk ka asnjë obligim ndaj shtetit. Në shëndetësi, do ta ndajmë shërbimet shëndetësore privat nga ai publik, dhe çdo pacient duhet ta ketë kartën e diagnozës”, ka thënë Zeka.