Zeka: Kosova dhe Shqipëria nuk konkurrojnë me njëra-tjetrën
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, ka thënë se ideja e tregut të përbashkët ndërmjet vendeve të Ballkanit do të ishte e mirëseardhur, pasi Kosova dhe Shqipëria nuk konkurrojnë me njëra-tjetrën.
Këto komente Zeka i ka bërë të martën në tryezën “Tregtia me Shqipërinë: Sa komplekse” që është organizua nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Zeka ka thënë se barrierat ndërmjet dy vendeve nuk kanë kuptim. “Barrierat ndërmjet dyja vendeve nuk kanë kuptim, sepse Kosova e Shqipëria nuk konkurrojnë mes vete. Kjo temë vazhdon të jetë më e diskutuara pavarësisht takimeve në rrafshin politik, ndërsa në praktikë mbetet për t’u bërë më shumë. Ideja për të pasur një treg të përbashkët mes vendeve të Ballkanit do të ishte ide e mirë. Ne nuk i konkurrojmë njëra-tjetrës, Kosovës dhe Shqipërisë”, ka thënë Zeka.
Ndërsa kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Amerikane, Ilir Ibrahimi, ka thënë se ka një përpjekje nga dy qeveritë shqiptare për heqjen e barrierave tregtare, mirëpo sipas tij një gjë e tillë nuk është duke ndodhur ende. “Një integrim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë mund të ndodhë vetëm atëherë kur bizneset e të dyja vendeve ndihen të barabartë”, ka thënë Ibrahimi.
Ai ka ngritur si shqetësim edhe taksën rrugore në Rrugën e Kombit, që sipas tij është një prej barrierave shtesë për bizneset e Kosovës.
Më tutje, Mërgim Prishtina nga “Trepharm”, ka thënë kërkuar që mos t’u hidhet hi syve ndaj bizneseve me mbledhjet e dy qeverive shqiptare.
Sipas tij, problemet në Shqipëri janë të të bërit biznes, derisa bilanci tregtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë është 1 me 5 në favor të Shqipërisë.