Zeka: Kosova ka vend për të rritur borxhin publik për të përkrahur ndërmarrjet e goditura nga pandemia

11 tetor 2020 | 12:42

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës (OEAK), Arian Zeka, ka thënë se Kosova ka një normë të ulët të borxhit publik.

Në këtë drejtim, Zeka ka theksuar se ky është momenti, që për të tejkaluar situatën e krijuar nga pandemia, Kosova duhet ta rrisë borxhin publik dhe t’i përkrahë ndërmarrjet e goditura, në mënyrë që të investohet në projektet infrastrukturore dhe krijohen vende të reja të punës.

Zeka në një intervistë për “EO” ka thënë se ndërmarrjet publike janë në vështirësi të mëdha financiare sepse janë shfrytëzuar nga të gjitha partitë politike për punësimin e njerëzve, duke tejkaluar edhe nevojat e ndërmarrjeve të tilla sa i përket kapitalit njerëzor.

“Duhet të shfrytëzohet tashmë në këtë fazë të rimëkëmbjes. Realisht Kosova ka një normë të ulët të borxhit publik dhe ky është moment pra ne kur duhet të rrisim borxhin përkrahim ndërmarrjet edhe vendet e goditura dhe të investohet paralelisht në projektet infrastrukturore të natyrës strategjike të cilat pastaj do të kishin efekte detyre në ekonominë e vendit dhe do të krijoheshin edhe vende të punës natyrisht në mënyrë zinxhirore do të përfitonin edhe sektorë të tjerë brenda ekonomisë tonë”, është shprehur Zeka.

Zeka ka thënë se synimi i qeverisë është që përmes Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike të ndryshohen një sërë ligjesh të cilat pritet të jenë në fuqi deri në fund të vitit 2021. “Ky është synimi i qeverisë ku përmes këtij projektligji që e ka krijuar përmes tij të ndryshohet dispozitat e një sërë ligjeve të tjera. Është formë e pranueshme ashtu që këto ligje të mos ndryshohen për një periudhë më të gjatë megjithatë ndryshimet do të ishin të vlefshme deri në përfundim të pandemisë nëse mund të themi sepse nuk e dimë sa mund të zgjasë, mirëpo pritet të jenë në fuqi deri në fund të vitit 2021”, ka thënë Zeka, duke shtuar se në rrethana të tilla të pasigurisë dhe implikimeve negative që ka shkaktuar pandemia, në Kosovë investitorët janë më të rezervuar.

“Është e kuptueshme që në rrethana të tilla të pasigurisë dhe implikimeve negative që pandemia ka pasur anembanë botës në Kosovë investitorët janë më të rezervuar. Prandaj duhet të jemi sa më të kujdesshëm sa i përket vendimeve të tyre për tu shtrirë në shtete të reja. Krejt ndryshe do të ishte nëse do të aplikohej një qasje që ne në Odën Ekonomike Amerikane e kemi prezantuar që krahas përkrahjes financiare të ketë edhe një sërë masash të tjera të cilat do të viheshin në dispozicion të investitorëve, siç janë ofrimi i lehtësirave tatimore”, ka thënë Zeka.

Ai ka theksuar se shpreson se gjatë vitit 2021 të ketë rritje ekonomike deri në 4 për qind.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vonesa e miratimit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike është duke…