Zeka kundër marrëveshjes me Danimarkën për burgjet
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme (MPB), Izmi Zeka është shprehur kundër marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Danimarkës për transferimin e të burgosurve danez në burgun e Gjilanit.
Zeka ka thënë se Gjilani nuk ka nevojë për të burgosur të huaj, por për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie të qytetarëve.
“Kësaj marrëveshje për transferim të burgosurve të Danimarkës në burgun e Gjilanit duhet t’i japin përgjigje edhe opozita e jo të struket qosheve. Gjilani tani pret edhe të burgosurit nga Danimarka në burgun e saj përmes një marrëveshje nga Qeveria e Kosovës dhe ajo e Danimarkës. Absurditet i llojit të vet. Gjilani vend i eksperimenteve të kësaj qeverie. Çka i duhen një vendi të vogël siç është Kosova të burgosur të tjerë për raste të ndryshme qoftë të krimit apo diçka tjetër. Vendet më të fuqishme dhe më të zhvilluara as që e kanë diskutuar një çështje të tillë e ne që gjitha gjërat i kemi në ‘sistem’ veç të burgosurit e vendeve tjera na duhen”, ka thënë Zeka, duke shtuar se kjo marrëveshje nuk është analizuar si duhet.
“Marrëveshje pa analizë dhe e pa studiuar. Gjilani ka nevoja tjera zhvillimore e jo vend ku atmosfera e njerëzve të profileve të ndryshme kriminale të mbizotëroj në jetën qytetare. Çfarë interesi strategjik kemi si Kosovë?”, ka deklaruar Zeka.