Zeka: Ligji për regjistrimin e automjeteve rrit sigurinë në trafik
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka reaguar ndaj deklarimeve të deputetëve të Kuvendit të Kosovës rreth fillimit të zbatimit të Ligjit për Automjete.
Ai ka bërë me dije se zbatimi i këtij ligji nuk është bërë deri më 1 qershor për arsye teknike brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
Sipas Zekës, është jokorrekte kur flitet pa argumente dhe apostrofohen institucione të ndryshme pa pasur bazë ligjore për shkelje apo diçka tjetër.
“Të nderuar deputetë dhe qytetarë të Republikës së Kosovës duke parë reagimet e deputetëve të Kuvendit të Kosovës rreth fillimit të zbatimit të Ligjit për Automjete me Nr.05/L-132 i cili ka hyrë në fuqi nga 04/05/2017 neni 43 paragrafi 2 i cili kërkon tekstualisht që ‘pronari i mjetit nuk mund ta bëjë regjistrimin apo vazhdimin e regjistrimit të mjetit me veprim motorik, as ndërrimin e pronarit apo shlyerjen e gjobave për kundërvajtje në trafikun rrugor’ kemi obligim të sqarojmë opinionin se zbatimi i këtij ligji nuk është bërë deri më datën 1 qershor për arsye teknike brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ne si ministri vetëm kemi zbatuar ligjin të cilin e keni aprovuar vetë ju në Kuvendin e Kosovës. Prandaj në këtë sens është jo korrekte kur flitet pa argumente dhe apostrofohen institucione të ndryshme pa pasur bazë ligjore për shkelje apo diçka tjetër”, ka thënë Zeka.
Ai ka thënë se MPB-ja duke pasur parasysh nevojën e marrjes së masave për të parandaluar aksidentet në trafik ka marrë masa të cilat janë në interes të vet qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Duhet cekur se Ligji mbi automjetet është në harmoni me direktivat evropiane duke mos cenuar as edhe një milimetër të drejtën e askujt. Prandaj ju lutemi që ju si parlament të ndihmoni institucionet e qeverisë së Kosovës në zbatimin e ligjit.
Ne jemi duke analizuar që të gjejmë edhe rrugë të tjera të cilat do të ndihmojnë trafikun në Kosovë që të lëvizin lirshëm pa qenë të rrezikuar nga aksidentet dhe problemet në komunikacion. Krejt në fund as edhe Roma nuk është zbuluar për një ditë”, është shprehur Zeka.
/Epoka e re/