Zeka: Nuk më pengon Agimi si kryetar, por dua që t’i heqim pakënaqësitë tona
Gjithçka nisi kur kryetari aktual i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, kërkoi votëbesim, e që hasi në keqkuptimin e disa delegatëve, të cilët kanë lëshuar sallën.
Kryetari i Trepçës ‘89, Abedin Zeka – Beki, ka shprehur disa nga pakënaqësitë e tij në drejtim të FFK-së.
“Këtu janë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv që janë votuar nga shkollat e futbollit. Nuk është e drejtë të flitet njëjtë sikur ata që marrin dhe sikur ata që dhanë. Jemi grumbulluar që futbolli të shkojë përpara. Edhe ditë më parë kemi shprehur pakënaqësitë tona së bashku me disa kryetarët tjerë”, ka thënë Zeka.
“Duam që të përfundojë kampionati sa më mirë, të dihet fati i mjeteve për klubet e Superligës. Kërkoj nga ti kryetar që të jemi pjesë e atyre që dhanë në FFK. Për hir të futbollit dhe korrektësisë, të shkojë puna siç është më së miri. Nuk më pengon Agimi si kryetar, por dua që t’i heqim pakënaqësitë tonë dhe nëse ia del, do të jesh hero i futbollit”, ka shtuar Zeka.