Zeka: Qeveria e Kosovës nuk u ka kushtuar rëndësinë e duhur investimeve kapitale
Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk u ka kushtuar rëndësinë e duhur investimeve kapitale.
Derisa thekson nevojën për investime të tilla si dhe avancim të infrastrukturës, Zeka thotë se rritja ekonomike e vendit është më e ulët se në vitin 2019.
“Norma e rritjes ekonomike realisht vijon të jetë më e ulët sesa ka qenë në vitin 2019, para pandemisë. Natyrisht, baza ekonomike e vendit ka shënuar rritje në këto vitet e fundit dhe rrjedhimisht i bie që një normë prej më pak se 4 për qind me të cilën besoj se do të mbyllim vitin 2024, në aspektin e gjithmbarshëm do të jetë më e madhe sesa e kemi pasur në vitin 2019, por norma e tillë, nëse flasim si përqindje vazhdon të jetë më e ulët se ajo që e kemi pasur në vitin 2019. Shtyllat kryesore në të cilat bazohet rritja ekonomike e vendit, nuk po vije në përdorim maksimal, këtu është fjala kryesisht për investimet kapitale të cilave kjo qeveri nuk u ka kushtuar rëndësinë e duhur”, thotë Zeka.
Ai konsideron se ritmi i investimeve kapitale është i ngadaltë, derisa thekson se në këtë drejtim duhet të ketë dinamikë më të madhe dhe po ashtu nisje të projekteve të reja.
“Është e pashmangshme, meqë edhe shihet edhe që ka pasur një përqendrim më të madh të qeverisë në realizimin e projekteve të parapara me vitin 2024. Por, megjithatë ritmi është goxha i ngadaltë dhe duhet të jetë një dinamikë shumë më e madhe dhe natyrisht nisje të projekteve të tjera. Vendi ka nevojë për avancimin e infrastrukturës së saj transportuese dhe ky këtu duhet të jetë fokusi i Qeverisë së Kosovës, dhe jo vetëm për të avancuar infrastrukturën rrugore dhe tjetër, por edhe për shkak të ndikimit ose efektit multiplikativ që investimet e tilla kapitale kanë gati të gjitha hallkat e zinxhirët e ekonomisë së vendit”, thotë Zeka.
Ndër të tjera, Zeka thotë se përkrahja financiare që parashihet në kuadër të Planit të Rritjes, mund të kushtëzohet nga zbatimi i marrëveshjeve “duke përfshirë ato me Serbinë”.
Ditë më parë, Komisioni Evropian ka miratuar agjendat e reformave për vendet e Ballkanit Perëndimor – hap ky për të mundësuar pagesat e para nga Plani i Rritjes.
Për Ballkanin Perëndimor, Plani i Rritjes ka paraparë 6 miliardë euro prej të cilave Kosovës i takojnë mbi 800 milionë euro. (Kp)