Zeka: Qeveria t’i gjejë të gjithë të zhdukurit
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës që është duke u mbajtur për personat e pagjetur, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i gjejë të gjithë të zhdukurit.
“Ashtu si i bëj thirrje Vuçiqit dhe qeverisë serbe, i bëj thirrje edhe qeverisë sime që t’i gjej të gjithë të zhdukurit serb, romë, boshnjakë pa marrë parasysh a ishin civilë ose kriminelë. Le t’i varrosin njerëzit familjarët e tyre”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur edhe dialogun e Brukselit duke pasur shumë kritika për palën vendore.
“Kam menduar që në këtë seancë do të flasim për mospunën e delegacionit në Bruksel për çështjet e të pagjeturve sepse unë mendoj që është bërë shumë pak. Pajtohem në mënyrë absolute me Albin Kurtin që tha se kjo çështje edhe biseda për të pagjeturit është përdorë si fasadë mes dy qeverive. Nuk kemi çka bisedojmë më palën serbe kur ata luajnë me kufomat tona”, ka thënë Zeka.