Zeka: Të arriturat e IPK-së kanë ndikuar në sundimin e ligjit në Kosovë
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, është takuar me ushtruesen e detyrës së kryeshefes së Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) Miradije Kelmendi.
Me këtë rast, Zeka ka shprehur kënaqësinë që ishte në një takim të tillë në një institucion të rëndësishme siç është IPK-ja në kuadër të MPB-së dhe sigurisë në Kosovë.
Ka qenë një vlerësim i përbashkët i Zekës dhe Kelmendit se IPK-ja që nga themelimi e deri më sot ka të arritura të mëdha të cilat kanë ndikuar në respektimin dhe sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.
Kurse ushtruesja e detyrës së kryeshefes së IPK-së, Miradije Kelmendi, e ka njoftuar zëvendësministrin Zeka për punët e deritanishme dhe rezultatet që janë arritur në këtë institucion.
Gjithashtu ajo ka përmendur edhe reformat që janë bërë brenda IPK-së, të cilat kanë ndikuar në performancë më të mirë të këtij institucioni.
Zëvendësministri Zeka ka shprehur mbështetjen e MPB-së për angazhimin në luftimin e dukurive negative dhe zbatimin e ligjeve në përgjithësi.
Po ashtu Zeka ka vlerësuar se para ligjit të gjithë pa dallim janë të njëjtë dhe nuk ka të privilegjuar apo të përkëdhelur kur kemi të bëjmë me shtetin e së drejtës.