Zeka tregon se a do të jetë kandidat i PDK-së për deputet
Gazetari Milaim Zeka ka folur pas disa lajmeve se ai do të kandidojë për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës.
Zeka në një përgjigje për Gazetën Express tha se nuk ka vendosur ende se a do të jetë pjesë e jetës politikë në Kosovë, por konfirmoi se ai është në bisedime me të gjitha partitë politike.
“Nuk kam vendosur hala, nuk kam vendos mas pari se a do të kyqem në politikë, ofertat janë gjithandej, tash jam në Suedi për momentin. Kam bisedime me shumë parti politike por nuk kam vendos akoma se a do të hyjë apo jo në politikë”, tha Zeka.
Madje ai thotë se vendi do të shkojë prapë në zgjedhje, nuk do të përfundojë vetëm me këto që pritet të mbahen në muajt e ardhshëm.
“Analiza ime është që do të shkojmë prapë në zgjedhje të reja, do të kem zgjedhje, zgjedhje, zgjedhje. Po, kam biseduar me partitë politike, ato janë biseda interne. Me të gjitha partitë politike qe 6 muaj kam qenë në biseda. Nuk jam njeri që kam vija të kuqe me ndonjë parti politike, përveç me Listën Serbe”, tha Zeka.
Të hënën në mbrëmje, Gjykata Kushtetuese mori shpalli aktgjykimin për rrëzimin e Qeverisë Hoti dhe shkuarjen në zgjedhje të jashtëzakonshme, duke konstatuar se përbërja e kabinetit qeveritar s’i kishte marrë votat e nevojshme, pasi që ky organ e cilësoi si të pavlefshme votën e ish-deputetit të dënuar me burgim, Etem Arifi.
“Vendimi nr. 07/V-014 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për Zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, i 3 qershorit 2020, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër tjerash në konstatimet e Gjykatës Kushtetuese.