Zeka: Trishtuese, po gjykohet lufta heroike! UÇK dhe NATO janë Bibla dhe Kurani im
Gazetari Milaim Zeka ka shprehur zhgënjimin nga seanca e parë e gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK në Hagë.
Për “Drejt ” në Rtv Ora tha se ka besuar te drejtësia e asaj gjykate por sot konstatoi se atje nuk po gjykohen ish-krerët e UÇK, por lufta e Kosovës dhe ushtria e saj.
Zeka: Përjetimi im i parë kur dëgjova prokurorin duke akuzuar krerët e UÇK se kanë sulmuar 12 stacione të Millosheviçit të cilët kanë masakruar fëmijët tanë, prindërit tanë, nënat dhe motrat tona, kanë përdhunuar me mijëra gra të Kosovës. I kërkova falje ndërgjegjes time, Milaim Zekës, që e ka përkrahur me aq zell Gjykatën Speciale si gazetar duke besuar sinqerisht se kjo gjykatë do të ishte e drejtë.
Sot u binda se atje nuk po gjykohen krerët e UÇK për veprat e tyre individuale por është duke u gjykuar lufta heroike e UÇK, që kjo ushtri do mbetet për mua dhe fëmijët e mi sa unë të jetoj si amanet. NATO dhe UÇK janë Bibla dhe Kurani im, ashtu siç është Adem Jashari Jezu Krishti im dhe Muhamedi im. Të gjykohet diçka e shenjtë si UÇK dhe lufta e saj për mua ka qenë shumë trishtuese.