Zeka: Zgjedhjet e brendshme do ta reformojnë PDK-në

05 nëntor 2018 | 13:05

Anëtari Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Izmi Zeka, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ka folur për procesin e brendshëm zgjedhor.

Ai ka theksuar se në kuadër të këtij procesi zgjedhor do të ndodhin edhe reforma në pastrimin e partisë nga individë që gjithçka brenda subjektit politik e shikojnë në relacion me interesin e vet personal.

Zeka ka thënë se e vetmja parti e cila është në gjendje dhe ka kapacitet intelektual dhe moral për të avancuar dhe për të çuar përpara procese të rëndësishme dhe procese komplekse kapitale si në komuna ashtu edhe në nivel vendi është PDK-ja.

Zeka ka bërë me dije se PDK-ja është në një fazë kur kërkohet të krijojë struktura partiake me njerëz dhe kuadro tek të cilët qëllimi i përfitimeve nuk vjen në konsideratë dhe as nuk konsiderohet i pranueshëm për partinë.

Ai ka thënë se Kadri Veseli tash për tash është kandidatura më kredibile për ta vazhduar drejtimin e PDK-së. “Nuk ka asnjë arsye të mendohet për ndërrimin e liderit”, është shprehur Zeka.

“Epoka e re”: Z. Zeka, PDK-ja ka hapur zgjedhjet e brendshme, ku pritet të dalë udhëheqja e re e partisë. Çfarë do të thonë këto zgjedhje kësaj here për PDK-në?
Zeka: Këto zgjedhje, përveç në aspektin statutor që përcaktojnë obligimin për një proces zgjedhor si formë e demokracisë për themelimin e strukturave politike të partisë, në aspektin politik dhe strategjik nënkuptojnë një riorganizim me njerëz të ri, të zgjedhur në forumet e partisë, të cilët janë në gjendje ta vazhdojnë rrugën e forcimit të PDK-së, duke bartur mbi vete procese të rëndësishme politike të vendit. Pra, gjithsesi ka edhe rol mobilizues.

“Epoka e re”: Z. Veseli ka përcjellë mesazh se në PDK nuk do të kenë vend ata që mendojnë vetëm për përfitime. Ka pasur të tillë në PDK?
Zeka: Po, kështu ka thënë, ndonëse është fakt i njohur se në PDK gjithmonë ka pasur njerëz që me kontributin e tyre kanë dëshmuar që nuk e kanë primar interesin individual para atij shtetëror. Mirëpo, në anën tjetër, ne jemi të vetëdijshëm se brenda të gjitha subjekteve politike në Kosovë ka profile të njerëzve me ambicie korruptive, që gjithçka brenda subjektit politik e shikojnë në relacion me interesin e vet personal. Ndaj kryetari Veseli, duke iu referuar kësaj kategorie “aktivistësh”, ka proklamuar reformat në kuadër të së cilës do të jetë edhe beteja për pastrimin e partisë nga individë të tillë. Tani jemi në një fazë kur kërkohet që të krijojmë struktura partiake me njerëz dhe kuadro te të cilët qëllimi i përfitimeve nuk vjen në konsideratë dhe as nuk konsiderohet i pranueshëm për partinë.

Epoka e re”: Në Gjilan kush do të jetë kandidat për kryetar dege të PDK-së? Do të jeni ju?
Zeka: Jo, unë nuk do të jem kandidat, mirëpo do të kujdesem që të bartë në strukturat e partisë një frymë të mirë dhe një kolegjialitet që konsideroj se do t’i ndihmoj partisë për ruajtjen e vlerave të kontributdhënësve që nga fitimi i lirisë dhe në të gjitha proceset e shtetndërtimit. Procesi i kandidaturave është transparent. Unë nuk do të kanalizoj promovimin e ndonjë ideje në parti, por do të përkrah çdo kandidaturë që del sipas një procesi legal dhe mbi bazën e meritokracisë. “Dekada e re” në vete ngërthen edhe nevojën për ndryshime dhe kjo jep një energji pozitive për fuqizimin e PDK-së.

“Epoka e re”: Sa do ta ketë të vështirë PDK-ja për ta rikthyer qeverisjen në Gjilan?
Zeka: Është e vërtetë se elektorati ka lëvizur në drejtime të ndryshme në aspektin e rreshtimit politik, në të njëjtën kohë besoj se e vetmja parti e cila është në gjendje dhe ka kapacitet intelektual dhe moral për të avancuar dhe për të çuar përpara procese të rëndësishme dhe procese komplekse kapitale si në komuna dhe në nivel vendi është PDK-ja. Oponentët politikë kanë pasur kohë për laboratorët e tyre të shpifjeve dhe trillimeve kundër nesh. Gjithashtu, edhe disa media dhe rrjete sociale përmes “fake news” dhe të tjerët që iu kanë besuar, dhe kjo realisht ka ndikuar në votuesin tonë. Por, është me rëndësi që ne si parti dhe si shoqëri mos të kultivojmë arrogancë politike dhe se gara politike të ketë kufijtë e vet. Pushtetet janë të ndara dhe nuk duhet që partitë politike t’i bëjnë gjyqin askujt e aq më pak llojit të vet (partisë tjetër politike), sepse kjo krijon standard të cilin do ta vuajmë në të ardhmen, siç edhe po ndodh. Faza në të cilën gjendemi si komunë është më se e nevojshme për qytetarin që ta ketë zërin e vet drejtpërdrejt me qeverisjen e PDK-së.

“Epoka e re”: Si është gjendja në terren e PDK-së, sepse kohët e fundit kanë dalë sondazhe ku PDK-ja radhitet partia e tretë pas LDK-së dhe LV-së. Ka ndikuar kjo për shkak se PDK-ja ka një kohë që është në pushtet?
Zeka: Siç e thashë, ne si parti kemi qenë të përkushtuar në shtetndërtim, ndërsa të tjerët (jo të gjithë) në të kundërtën, dhe se ka krijuar mundësi që qytetari të mos ketë informatën e drejtë dhe reale në kohën e duhur. PDK-ja në tërësinë e vet dhe PDK-ja në Gjilan ka shtrirje në të gjithë territorin si dhe ka funksionale degët dhe strukturën. Sondazhet në vendin tonë jo gjithnjë kanë treguar realitetin nga terreni, por nëse i marrim të mirëqena, ne tash veç jemi në fazë të zgjedhjeve dhe se freskia në parti besoj se përmes një mobilizimi, edhe elektoral, do të ketë një reflektim real nga qytetari.

“Epoka e re”: A mendoni se z. Veseli duhet të jetë kandidati i vetëm për kryetar të partisë edhe për një mandat?
Zeka: Kandidimi është i hapur për secilin, por unë besoj se z. Veseli tash për tash është kandidatura më kredibile dhe veçse është fitues i një palë zgjedhjeve kombëtare. Pra, nuk ka asnjë arsye të mendohet për ndërrimin e liderit kur shihet një elan dhe përkushtim për punë të mirë.

“Epoka e re”: Pas përfundimit të procesit zgjedhor në parti, çfarë prisni nga udhëheqja e re?
Zeka: Pres energji të re e cila do të duhet të punojë për fitoren e PDK-së, e cila gjithsesi do t’i përshpejtojë proceset e avancimit dhe prosperimit të shtetit të Kosovës në rrafshin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar.

Faton DËRMAKU

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me propozimin e grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në…