Zelandë e Re, nisin funeralet e viktimave të masakrës
Qindra persona u mblodhën në varrezat e Christchurchit këtë të mërkurë, për të zhvilluar të parat ceremoni mortore të atyre që mbetën të vrarë gjatë masakrës në dy xhami të së premtes së kaluar.
Një agresor australian, i konsideruar supremacist i bardhë, qëlloi për vdekje 50 besimtarë myslimanë në dy xhami të ndryshme të qytetit jugor të Christchurchit, gjatë një masakre që guxoi madje edhe ta transmetonte drejtpërdrejt në rrjetet sociale.
Mëngjesin e kësaj të mërkure, qindra vajtues kryesisht myslimanë u mblodhën në varrezat që gjenden jo larg xhamisë Linwood, e dyta e shënjestruar nga agresori. Ata u përqafuan me njëri-tjetrin në shenjë solidariteti, teksa qëndronin përballë një rreshti të gjatë të banesave të fundit të viktimave.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe Abdul Aziz, regugjati afgan që pretendoi se ishte konfrontuar me guxim me agresorin në xhaminë Linwood, e që sigurisht shihet si hero nga komuniteti mysliman atje.
Zyrtarë neozelandezë nuk i kanë publikuar ende emrat e viktimave që po dërgohen në banesën e fundit.
“Pas një kohe të shkurtër lutjesh, familjarë dhe miq do të shoqërojnë trupat e viktimave për në banesën e fundit”, tha një zyrtar i këshillit të qytetit, Jocelyn Ritchie.
Myslimanët, njerëzit e afërt të të cilëve u qëlluan për vdekje, kanë shprehur hidhërimin e tyre për shkak të dështimit të autoriteteve për t’ua rikthyer në një kohë të shkurtër trupat e viktimave, për një proces të shpejtë varrimi siç kërkohet nga ritet islamike. Vetëm 6 nga 50 viktimat u janë kthyer familjarëve të tyre deri më tani.
Autoritetet nga ana e tyre thonë se po bëjnë gjithçka munden për të përshpejtuar proceset e autopsisë dhe identifikimit formal të të vrarëve. Mike Bush, komisioner policie, tha se procesi ka qenë i ngadaltë për shkak të nevojës për t’i identifikuar saktësisht viktimat dhe për të shmangur pengimin e hetimeve.
Deri më tani janë identifikuar 21 prej viktimave nga ekspertët mjekoligjorë, ndërsa komisioneri i policisë tha më tej se shpreson që edhe 6 trupa të tjerë t’u rikthehen familjarëve deri në mesditë./tch/