Zelenskiy i kërkon ndihmë më të shpejtë ShBA-së për Ukrainën
Presidenti i ShBA-së, Joe Biden, foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy në lidhje me përpjekjet e vazhdueshme për të vendosur sanksione të tjera ndaj Rusisë dhe për ta përshpejtuar ndihmën ushtarake, humanitare dhe ekonomike nga ShBA-ja, raporton “The Guardian”, përcjell gazeta Express.
“Presidenti Biden theksoi veprimet e vazhdueshme të ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e saj dhe industria private për të rritur kostot ndaj Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë”, u tha në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
Shtëpia e Bardhë tha se gjatë bisedës dyshja diskutoi gjithashtu për bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës, por nuk ofroi detaje shtesë.
“Në veçanti, ai [Biden] përshëndeti vendimin këtë mbrëmje nga Visa dhe Mastercard për të pezulluar shërbimin në Rusi. Presidenti Biden vuri në dukje se administrata e tij po rrit ndihmën e sigurisë, humanitare dhe ekonomike për Ukrainën dhe po punon ngushtë me Kongresin për të siguruar fonde shtesë”, thuhet tutje në deklaratë.
Bisedën telefonike e konfirmoi edhe Zelenskiy, i cili shktoi në Twitter:
“Si pjesë e dialogut të vazhdueshëm, pata një tjetër bisedë me Presidentin Joe Biden. Agjenda përfshinte çështjet e sigurisë, mbështetjen financiare për Ukrainën dhe vazhdimin e sanksioneve kundër Rusisë”.
SHBA-ja ishte e para që doli në gatishmëri për ta mbrojtur Ukrainën nga çdo pushtim i mundshëm rus, që tashmë po ndodh.
Në një artikull i para disa ditëve i CNN referuar burimeve nga disa zyrtarë amerikanë, shkruhej se “çelësi” i komunikimit mes presidentit Joe Biden dhe homologut ukrainas Volodymyr Zelenskiy, është një telefon që SHBA-ja ia dha qeverisë ukrainase para se të nisnin sulmet.