Zelenskiy, kërkesë gjithë botës
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, u kërkon qytetarëve të huaj anembanë botës që të bashkohen në luftën kundër Rusisë.
Në një deklaratë në uebsajtin presidencial thuhet: “Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy u drejtohet të gjithë qytetarëve të botës, miqve të Ukrainës, paqes dhe demokracisë, kushdo që dëshiron të bashkohet në mbrojtjen e Ukrainës, Evropës dhe botës mund të vijë dhe të luftojë krah për krah me ukrainasit kundër kriminelëve rusë të luftës.”
Në deklaratë theksohet se, sipas Rregullores për Shërbimin Ushtarak në Forcat e Armatosura të Ukrainës nga qytetarët e vendeve të tyre dhe personat pa shtetësi të miratuar me Dekretin e Presidentit të Ukrainës nr. 248 të 10 qershorit 2016, të huajt kanë të drejtë të bashkohen me Forcat e Armatosura të Ukrainës për shërbimin ushtarak.
Express më parë raportoi se autoritet ruse pretendojnë se në Bjellorusi ka arritur një delegacion, që sipas tyre është i hapur për bisedime me Ukrainës.
Por presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy e ka refuzuar ofertën, duke thënë se bisedimet në Minsk mund të ishin të mundshme nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus.
Megjithatë, presidenti ukrainas lë të hapur mundësinë për të kryer negociata me Rusinë në vende të tjera, shkruan BBC.
Ai tha: “Nëse nuk do të kishte pasur veprime agresive nga Bjellorusia, ne mund të bisedonim në Minsk. Sigurisht që ne duam paqe, duam të takohemi, duam që lufta të përfundojë. Varshavë, Bratislavë, Budapest, Stamboll, Baku – ua kemi ofruar rusëve. Jemi të hapur për bisedime nga çdo qytet tjetër, nga territori i të cilit nuk lëshohen raketa ndaj nesh. Vetëm kështu negociatat mund të jenë të ndershme dhe mund t’i japin fund luftës”, tha presidenti ukraians.