Zelenskiy zbulon detyrat e ushtarëve ukrainas për sot
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë se detyra kryesore e kësaj dite është që ushtarët ta çojnë autokolonën humanitare që po udhëton drejt qytetit të rrethuar të Mariupolit në destinacion, raporton “CNN”.
Në një mesazh të shkurtër në llogarinë e vet në “Instagram”, Zelenskiy ka thënë: “Karvani ynë humanitar është dy orë larg Mariupolit, vetëm 80 kilometra larg. Ne po bëjmë gjithçka për ta kapërcyer rezistencën e pushtuesve, të cilët po bllokojnë edhe priftërinjtë e kishës ortodokse, të cilët po shoqërojnë autokolonën me ushqime, ujë, ilaçe… Ukraina ka furnizuar 100 tonë, nevojat bazë për qytetarët e saj,” ka thënë ai.
Kolona është nisur të shtunën nga qyteti Zaporizhzia. Mariupol është nën rrethim për më shumë se një javë. Pjesa më e madhe e qytetit është pa energji elektrike dhe ujë.
Zelensky ka thënë se pas 18 ditësh luftë, “Rusia ka humbur mijëra automjete ushtarake, 74 avionë dhe 86 helikopterë”.