Zelensky: Do ta rindërtojmë Ukrainën
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka kërkuar partnerëve të Ukrainës në mbarë botën që të ofrojnë zgjidhje të bazuara në realitet, jo në opinione abstrakte.
Zelensky ka thënë se liderët po mblidhen për të diskutuar për luftën dhe anëtarësimin e Ukrainës në NATO, duke theksuar se e di se cilët nga ata liderë po mbështesin shtetin që ai drejton.
Për luftën, ai ka thënë se burrat dhe gratë ukrainase po mbrojnë shtetin e tyre për 15 ditë me radhë dhe kanë zmbrapsur sulmet në zona kyçe.
Ai ka konfirmuar se tre persona, duke përfshirë një fëmijë janë vrarë në bombardimin e maternitetit në Mariupol. Në këtë kontekst, Zelensky ka thënë se pretendimi i Rusisë se nuk kishte pacientë në spital është një gënjeshtër.
Rusët kanë krijuar një “katastrofë humanitare”, ka thënë ai, duke shtuar se “më është thyer zemra nga ajo që pushtuesit u kanë bërë qyteteve tona, shtetit tonë”.
Presidenti ukrainas ka thënë se Rusia dëshiron ta poshtërojë popullin ukrainas dhe “t’i bëjë ata të gjunjëzohen dhe të marrin bukë dhe ujë nga duart e tyre”.
“Ne nuk u bëmë skllevër dhe nuk do të bëhemi kurrë sepse ky është shpirti ynë dhe ky është fati ynë”, ka thënë ai, duke shtuar Ukraina do të rindërtohet.
“Nuk do të mbetet asnjë gjurmë nga pushtimi rus”, ka thënë ai.