Zelensky: E kemi përgjuar planin rus për ta ‘shkatërruar’ Moldavinë
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka thënë të enjten se vendi i tij i ka përgjuar planet e shërbimeve sekrete ruse për ta shkatërruar Moldavinë dhe inteligjenca moldave e ka konfirmuar një pretendim të tillë.
Duke folur me udhëheqësit e Bashkimit Evropian në Bruksel, Zelenskyy tha se së fundmi i tha presidentit moldav Maia Sandu lidhur me planin e supozuar rus për Moldavinë.
“E kam informuar atë se ne e kemi përgjuar planin e shkatërrimit të Moldavisë nga inteligjenca ruse”, ka deklaruar Zelenskyy përmes një përkthyesi. Tutje, Zelensky shtoi se dokumentet tregonin “kush, kur dhe si” ky plan “do ta thyente demokracinë e Moldavisë dhe do ta vendoste kontrollin mbi Moldavinë”.
Zelenskyy tha se plani ishte shumë i ngjashëm me atë të hartuar nga Rusia për ta marrë nën kontroll Ukrainën. Ai shtoi se nuk e di nëse Moska zyrtare në fund të fundit ka dhënë urdhër që ky plan të zbatohet.
Pas komenteve të Zelenskyy, Shërbimi i Inteligjencës dhe Sigurisë së Moldavisë lëshoi një deklaratë duke konfirmuar se ka marrë “informacion përkatës nga partnerët tanë ukrainas” dhe se ka identifikuar gjithashtu “aktivitete subversive, që synojnë ta minojnë Republikën e Moldavisë, destabilizojnë dhe shkelin rendin publik”.
“Për momentin, ne nuk mund të japim më shumë detaje pasi ekziston mundësia e rrezikimit të aktiviteteve të ndryshme operacionale në vazhdim”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se të gjitha institucionet shtetërore të Moldavisë “po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk do të lejojnë që këto sfida të ndodhin”.
Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov ka hedhur akuza javën e kaluar duke shtuar se Perëndimi po konsideron ta kthejë Moldavinë në “një Ukrainë tjetër”. Ai pretendoi se Perëndimi i ka mbështetur zgjedhjet e vitit 2020 të Sandu-së pro-perëndimore, duke pretenduar se ajo është e etur për ta futur vendin në NATO, për ta bashkuar Moldavinë me Rumaninë dhe “praktikisht është gati për çdo gjë”.
Në dhjetor, agjencia e inteligjencës kombëtare e Moldavisë paralajmëroi se Rusia mund ta nisë një ofensivë të re këtë vit me qëllim të krijimit të një korridori tokësor përmes Ukrainës jugore në rajonin separatist të Transnistrisë të Moldavisë, të mbështetur nga Moska.
Rajoni i Transnistrisë është shkëputur pas një lufte civile të vitit 1992, por nuk njihet nga shumica e vendeve. Ky rajon shtrihet afërsisht 400 kilometra nga bregu lindor i lumit Dniestër deri në kufirin e vendit me Ukrainën. Rusia ka rreth 1500 trupa nominalisht si “paqeruajtëse” në këtë rajon separatist./Associated Press