Zelensky e ndërpret para kohës vizitën në Afrikën e Jugut pas sulmit rus në Kiev

24 prill 2025 | 12:23

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se do ta ndërpresë para kohës së planifikuar vizitën e tij në Afrikën e Jugut të enjten dhe do të kthehet në Kiev pas një sulmi rus me raketa ndaj kryeqytetit ukrainas.

Zelensky, i cili ka qenë duke bërë përpjekje për të siguruar mbështetje ndërkombëtare për mbrojtjen e Ukrainës kundër pushtimit rus, tha se do të kthehet menjëherë në vendin e tij pas takimit me homologun nga Afrika e Jugut, Cyril Ramaphosa, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës do t’i mbajë të gjitha takimet e nevojshme në Afrikën e Jugut për t’i informuar në mënyrë të plotë udhëheqësit politikë e publikë të vendit për situatën” – shkroi presidenti ukrainas në rrjetin “Telegram”.

Një sulm i kombinuar rus me dronë e raketa gjatë natës së kaluar shkaktoi zjarre, goditi ndërtesa e varrosi banorë nën rrënoja në kryeqytetin ukrainas, Kiev, duke lënë tetë të vdekur e mbi 70 të tjerë të lënduar, tha të enjten Shërbimi Emergjent Shtetëror.

Incidenti më serioz ishte në një ndërtesë banimi që u shkatërrua në distriktin Sviatoshynskyi, në perëndim të qendrës së qytetit.

Shërbimi Emergjent tha se ekipet e shpëtimit ishin duke punuar në 13 zona në kryeqytet me specialist të ngjitjes dhe qen nuhatës. Raportohet se 40 zjarre kishin shpërthyer.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Akil Gjakova ka kaluar në rrethin e tretë në Kampionatin…