
Zelensky e pranon për herë të parë: Trupat ukrainase po kryejnë operacione ushtarake brenda territorit të Rusisë
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka pranuar për herë të parë publikisht se trupat ukrainase po kryejnë operacione ushtarake brenda territorit të Rusisë, konkretisht në rajonin e Belgorodit që kufizohet me Ukrainën.
“Lufta duhet të rikthehet atje nga ka ardhur”, ka thënë Zelensky në një fjalim drejtuar popullit, duke shtuar se qëllimi kryesor i këtyre operacioneve është mbrojtja e rajoneve kufitare ukrainase si Sumy dhe Kharkiv, si dhe lehtësimi i presionit në linjën e frontit në Donetsk.
Ai ka përmendur gjithashtu rajonin e Kurskut, ku forcat ukrainase vazhdojnë të kenë një prani të kufizuar pas ofensivës së vitit të kaluar, edhe pse shumica e territorit është rikthyer nën kontrollin rus.
Nga 1200 kilometra katror që pushtoi në vitin e shkuar, Kievi vlerësohet se mban ene ne rajonin e Kurskut rreth 300 deri ne 400 kilometra ose e thënë ndryshe 25% te territorit te pushtuar.
Zelensky ka falënderuar njësi të caktuara të ushtrisë, përfshirë regjimentin e 225-të sulmues që po vepron në Belgorod, duke i cilësuar si heronj.
Deklarata e tij vjen pasi Rusia kishte mohuar raportet për depërtime ukrainase në territorin e saj, megjithëse blogerë ushtarakë rusë kanë raportuar luftime në fshatra pranë kufirit si Demidovka dhe Prilesye.
Deklarata e presidentit Zelensky mbi pushtimin e territoreve në Belgorod u konfirmua në 21 mars edhe nga Instituti për Studimet e Luftës, një institut ky I pavarur i bazuar në Uashington.
Analistët ndërkombëtarë kanë vlerësuar se këto inkursione mund të kenë për qëllim zhvendosjen e trupave ruse nga frontet kyçe dhe krijimin e mundësive për negociata të ardhshme paqeje, ku Ukraina mund të përdorë kontrollin mbi territore ruse si levë diplomatike. Megjithatë, ekzistojnë shqetësime për humbje të mëdha njerëzore dhe vështirësi në furnizimin me armë nëse këto operacione shtrihen më tej.