Zelensky fton Papa Franceskun në Ukrainë: Jeni miku më i shumëpritur në vend
Papa Françesku i ka telefonuar presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky të martën, ka thënë ambasadori i Ukrainës në Selinë e Shenjtë, Andryi Yurash, përmes “Twitter”.
Gjatë bisedës, Zelensky e ftoi Papatin të vizitojë Ukrainën, ka njoftuar ambasadori.
Papa Françesku i telefonoi sërish sot presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili e siguroi Papën se “ai është mysafiri më i shumëpritur në vend”. Françesku, nga ana e tij, i tha presidentit ukrainas se ai “po lutet dhe po bën gjithçka që është e mundur për t’i dhënë fund luftës, të provokuar pas pushtimit të Rusisë”, ka thënë ambasadori ukrainas në Selinë e Shenjtë, Andrii Yuash në “Twitter”.
“Gjest i ri mbështetjeje nga Papa Françesku: Pak minuta më parë Ati i Shenjtë telefonoi Presidentin Zelensky. Ata patën një bisedë premtuese. Papa tha se po lutet dhe po bën gjithçka që është e mundur për përfundimin e luftës dhe Zelensky përsëriti se Shenjtëria e tij është mysafiri më i pritur në Ukrainë”, ka shkruar diplomati.
Françesku e kishte telefonuar tashmë presidentin rus më 26 shkurt, kur ai i shprehu “dhimbjen e tij të thellë” për atë që po ndodhte. Pak ditë më parë, edhe kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, i dërgoi një letër Papa Françeskut, duke e ftuar atë të vizitojë qytetin gjatë kësaj kohe lufte pas pushtimit të Rusisë ose, nëse nuk është e mundur, të marrë pjesë në një video-konferencë për t’i dërguar një mesazh popullatës.
“Ne besojmë se prania e liderëve fetarë të botës personalisht në Kiev është çelësi për të shpëtuar jetë dhe për të hapur rrugën drejt paqes në qytetin tonë, në vendin tonë dhe kudo”, ka shkruar kryebashkiaku në atë kohë. Vatikani konfirmoi mbërritjen e letrës dhe shtoi se Françesku “ishte afër vuajtjeve të qytetit, njerëzve të tij, atyre që duhej të arratiseshin dhe atyre që thirreshin për ta administruar atë”.
Që nga fillimi i luftës, Françesku ka bërë disa thirrje për ndërprerjen e saj, ka treguar gatishmërinë e tij për të “bërë gjithçka” për të ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit dhe dërgoi dy kardinalë për të treguar afërsinë e tij me popullin ukrainas.