Zelensky humb besimin në bashkëpunëtor, shkarkon asistentë e këshilltarë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkarkoi një ndihmës të vjetër dhe disa këshilltarë të shtunën, duke e vazhduar formatimin e kabinetit, përderisa Rusia kreu sulmet të reja gjatë natës.
Zelensky e shkarkoi ndihmësin e lartë, Serhiy Shefir, nga pozita e asistentit të parë, ku kishte shërbyer nga viti 2019. Presidenti ukrainas shkarkoi edhe tre këshilltarë dhe dy përfaqësues presidencialë që i mbikëqyrnin aktivitetet vullnetare dhe të drejtat e ushtarëve, raporton agjencia “Associated Press”.
Nuk u dha menjëherë shpjegim për ndryshimet e reja në staf si pjesë e një formatimi të gjerë muajve të fundit. Në këto ndryshime u përfshi të martën edhe shkarkimi I Oleksii Danilovit, që kishte shërbyer si sekretar i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, dhe Valerii Zaluzhnyi si komandant i forcave të armatosura më 8 shkurt. Ky i fundit u emërua këtë muaj ambasador në Britani.
Ndërkohë forca ajrore ukrainase tha të shtunën se Rusia hodhi 12 dronë “Shahed” gjatë natës, nëntë prej të cilëve u rrëzuan, si dhe shkrepi katër raketa në lindje të Ukrainës.
Ushtria ukrainase tha se Rusia hodhi gjithsej 38 raketa, kreu 75 sulme ajrore e 98 sulme me raketahedhës të shumëfishtë gjatë 24 orëve të fundit.