Zelensky: Jemi të përgatitur të diskutojmë për neutralitet
Ukraina është e përgatitur të diskutojë miratimin e një statusi neutral si pjesë e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë, por ajo marrëveshje do të duhet të garantohet nga palët e treta dhe të vendoset në një referendum, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky në një intervistë të transmetuar të dielën, më 27 mars.
Duke folur me një grup gazetarësh rusë përmes video-lidhjes, Zelensky tha se pushtimi rus ka shkaktuar shkatërrimin e qyteteve rusishtfolëse në Ukrainë dhe tha se dëmi ishte më i madh se sa luftërat ruse në Çeçeni, transmeton Rel.
Ndërkaq Rregullatori shtetëror rus i medias ‘Roskomnadzor’ ka lëshuar një paralajmërim për mediat ruse për një intervistë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.
Rregullatori paralajmëroi gazetarët që të mos publikojnë intervistën dhe ka njoftuar se “ka nisur një hetim për të përcaktuar përgjegjësinë dhe çfarë masash do të merren” në lidhje me mediat që kanë realizuar intervistë me presidentin ukrainas.
Roskomnadzor potencon se disa nga mediat që publikuan intervistën janë shënjestruar si “agjentë të huaj” në Rusi.