Zelensky kërkon anëtarësim të shpejtë të Ukrainës në NATO
President i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar anëtarësim të shpejtë në NATO, pasi homologu i tij rus, Vladimir Putin, ka shpallur të aneksuara katër rajone të Ukrainës.
Zelensky në një postim në “Telegram”, ka thënë se Ukraina po e bën një hap vendimtar duke nënshkruar kërkesën për anëtarësim të përshpejtuar në NATO.
“Ne kemi vërtetuar tashmë përputhshmërinë tonë me standardet e Aleancës. Ne po bëjmë një hap vendimtar duke nënshkruar kërkesën e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO”, është shprehur Zelensky, shkruan “BBGC”.
Përpara se Rusia të dërgonte forcat e saj të armatosura në Ukrainë në shkurt, Moska kërkonte garanci ligjërisht të detyrueshme që Ukraina nuk do të pranohej kurrë në NATO, në aleancën ushtarake e udhëhequr nga ShBA-ja.
Rusia e ka përdorë këtë si pretekst, ndër të tjera, për të nisur të ashtuquajturin operacionin e saj special ushtarak.