Zelensky kërkon hetim ndërkombëtar pas akuzave të Kremlinit për rrëzimin e avionit
Kremlini ka akuzuar sërish Ukrainën për rrëzimin e një avioni ushtarak rus, që tha se po bartte 65 ushtarë ukrainas të kapur gjatë luftës. Ata, më 24 janar po transportoheshin me avion për këmbim të burgosurish. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, bëri thirrje për një hetim ndërkombëtar të këtij rasti.
Avioni u rrëzua në rajonin e Belgorodit pranë kufirit me Ukrainën.
Rrëzimin e aeroplanit transportues ushtarak, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e quajti “akt monstruoz”, megjithëse Moska ende nuk ka treguar ndonjë provë se ai u rrëzua nga një raketë ukrainase apo që ushtarët ukrainas ishin në bord.
Derisa nuk tha se kush e rrëzoi avionin, Zelensky tha se “duhet të vërtetohen të gjitha faktet… shteti ynë do të insistojë për një hetim ndërkombëtar”.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se këmbimi i të burgosurve ishte planifikuar të bëhej më 24 janar dhe Rusia nuk e kishte informuar Ukrainën se të burgosurit ukrainas do të fluturonin me aeroplanë mallrash.
Drejtoria kryesore e inteligjencës e Ukrainës tha se nuk ka “informacion të besueshëm dhe gjithëpërfshirës” se kush ishte në bordin e avionit por tha se të burgosurit rusë, për të cilët ishte përgjegjëse, “u dorëzuan në kohë në pikën e këmbimit të kushtëzuar, ku ata ishin të sigurt”.