Zelensky kërkon më shumë armë: E ardhmja e kontinentit evropian po vendoset tani
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje për më shumë armë dhe i ka kërkuar Evropës që të mbyllë portet detare me Rusinë, në një adresim që pati në Parlamentin e Norvegjisë.
Zelensky ka kërkuar raketa anti-anije, raketa “Harpoon”, sisteme të raketave kundërajrore dhe armë anti-tanke.
“Me të gjitha armët që mund të na ndihmoni do të përdoren vetëm për të mbrojtur lirinë tonë, lirinë tuaj”, ka thënë ai, shkruan “CNN”.
Zelensky ka thënë se Rusia është duke bllokuar portet detare të Ukrainës.
“Rusia nuk duhet të jetë në gjendje që të përdorë portet e botës lirshëm. Kjo është një çështje e sigurisë globale detare”, ka thënë Zelensky.
Ai ka paralajmëruar se e ardhmja e “gjithë kontinentit, nga veriu deri në jug, nga lindja deri në perëndim, është duke u vendosur pikërisht tani”.