Zelensky kërkon ndihma urgjente, aleatët mblidhen në Paris
Franca ka mbledhur të martën donatorët ndërkombëtarë për një konferencë të përqëndruar tek ndihma për Ukrainën, infrastruktura e së cilës po sulmohet nga forcat ruse.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se qëllimi i konferencës është ta ndihmojë popullin ukrainas “të kalojë stinën e dimrit”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nëpërmjet një videokonference tha se vendit të tij i nevojiten gjeneratorë energjie, po aq sa i nevojiten edhe autoblindat për forcat e armatosura.
Ai u tha aleatëve të mbledhur në Paris të martën se nevojiten të paktën 800 milionë euro për asistencë emergjence për furnizimin me energji gjatë dimrit, ndërsa forcat ruse vazhdojnë të godasin objektiva civile në mbarë vendin.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka ftuar përfaqësues të mbi 70 vendeve dhe institucioneve për të diskutuar se çfarë mund të bëhet nga tani deri në muajin mars për të ruajtur furnizimin e Ukrainës me ujë, ushqime, dhe energji, si dhe për të ndihmuar sistemin e saj të kujdesit shëndetësor dhe transportin, ndërsa kanë filluar ngricat e dimrit.
“Në zemër të ofensivës ruse pas humbjeve ushtarake të javëve të fundit është zhytja e popullit ukrainas në dëshpërim dhe sulmimi në një mënyrë të papranueshme i infrastrukturës civile, ndërprerja e ujit, ndërprerja e elektricitetit dhe zhytja e popullsisë në errësirë dhe të ftohtë. Prandaj ne jemi mobilizuar që t’i ndihmojmë ata të rezistojnë”, tha presidenti francez Emmanuel Macron.
Gjatë fjalimit të tij në takim, presidenti francez dënoi me forcë sulmet e Rusisë ndaj infrastrukturës civile.
“Këto sulme ajrore kanë haptazi në objektiv popullsinë ukrainase dhe infrastrukturën civile. Këto sulme, që siç e pranoi Rusia kanë qëllimin e vetëm dobësimin e rezistencës së popullit ukrainas, përbëjnë krime lufte. Ato shkelin pa asnjë dyshim parimet më themelore të ligjeve humanitare”, u shpreh presidenti francez.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se BE-ja po ofron 40 gjeneratorë për furnizimin me energji të spitaleve në Ukrainë dhe 800 gjeneratorë për përdorim në objekte të tjera në mbarë vendin.