Zelensky kundërshton mbajtjen e zgjedhjeve në kohë lufte: Se shkelim ligjin në emër të Putinit

04 janar 2025 | 11:01

Ukraina nuk do të mbajë zgjedhje nën ligjin ushtarak edhe nëse Rusia e vendos atë si një nga parakushtet për negociata, ka deklaruar presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një intervistë në televizionin ukrainas të lëshuar më 2 janar.

Bëhet e ditur se Ukraina kishte planifikuar të zhvillonte zgjedhjet presidenciale në mars ose prill 2024, duke përmbyllur mandatin e parë pesëvjeçar të Zelenskyt.

Por, votimi u shty pasi kushtetuta e vendit nuk lejon zgjedhjet sipas ligjit ushtarak, i cili u shpall në 24 shkurt 2022, në fillimin e agresionit të Rusisë.

Presidenti rus Vladimir Putin u përpoq të përdorte vonesën për të portretizuar Zelenskyn si “të paligjshëm”, duke thënë se autoriteti duhet t’i kalonte kryetarit të parlamentit Ruslan Stefanchuk, një pretendim i hedhur poshtë nga Kievi si një shtrembërim i kushtetutës, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, në intervistë Zelensky përsëriti se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare nuk janë të mundshme sipas ligjit ushtarak dhe se zyrtarët e zgjedhur vazhdojnë të kryejnë ligjërisht detyrat e tyre deri në votimin e ardhshëm.

“Pasi Ukraina arrin t’i japë fund fazës së nxehtë të luftës, ligji ushtarak mund të hiqet dhe parlamenti mund të caktojë një datë për zgjedhjet”, tha Zelensky.

“Pas përfundimit të ligjit ushtarak, nuk ka nevojë të presim vite për zgjedhjet”, shtoi ai.

Kur u pyet nëse Ukraina është e gatshme të bëjë kompromis nëse Rusia vendos zgjedhje të menjëhershme si kusht për bisedimet e paqes, Zelensky e hodhi poshtë idenë.

“Ne do të shkelnim legjislacionin ukrainas në emër të Putinit, i cili ka shkelur të gjithë legjislacionin tonë, sovranitetin dhe integritetin territorial”, u përgjigj presidenti.

Zelensky tha gjithashtu se Putini po kërkon çdo justifikim të mundshëm për të shmangur negociatat e drejtpërdrejta me të.

Ndryshe, ka pritshmëri në rritje për bisedimet e mundshme të paqes në vitin 2025, pasi presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, i cili do të marrë detyrën më 20 janar, u zotua të sjellë të dyja palët në tryezën e bisedimeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lideri i ri i Sirisë me këtë gjest tregon se…