Zelensky, NATO-s: Na jepni 1% të flotës ushtarake që keni
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky gjatë video-mesazhit në takimin e liderëve të NATO-s në Bruksel i bëri thirrje liderëve që të rrisin mbështetjen ushtarake për vendin e tij kundër forcave ruse.
“Mund të na jepni 1% të të gjithë avionëve tuaj, 1% të gjitha tankeve tuaja. 1$%”, tha ai gjatë fjalës së tij.
“Ju keni mijëra avionë luftarakë, por ne nuk na është dhënë ende një, ne ju kërkuam tanke që mund të zhbllokojnë qytetet tona. Ju keni të paktën 20.000 tanke, por ne nuk kemi ende një përgjigje të qartë”, tha Zelensky.
Ai u bëri thirrje liderëve që të marrin vendimet e nevojshme për ta realizuar mbrojtjen.
“Ne nuk mund t’i blejmë vetëm këto artikuj. Një furnizim i tillë varet drejtpërdrejt nga vendimet e NATO-s, nga vendimet politike”, tha Zelensky.
Ai tha gjithashtu se udhëheqësit e NATO-s duhet të pranojnë atë që forcat e armatosura të Ukrainës kanë demonstruar në luftën kundër Rusisë.
“Ju lutem, mos na tregoni më kurrë se ushtria jonë nuk i përmbush standardet e NATO-s. Ne kemi treguar se çfarë standardesh mund të arrijmë. Dhe ne kemi treguar se sa shumë mund t’i japim sigurisë së përbashkët të Evropës dhe botës”, tha Zelensky, shkruan CNN.