Zelensky në OKB: Të keqes nuk mund t’i besohet, shihni Prigozhinin
“Të keqes nuk mund t’i besohet”, kështu deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Deklaratat, lideri ukrainas i bëri teksa i kërkoi botës të bashkohet për t’i dhënë fund agresionit rus ndaj vendit të tij.
Në një fjalim të mbajtur në Nju Jork, Zelensky ka deklaruar se Moska e armatosur me armë bërthamore duhet të ndalohet pasi mund ta “shtyjë botën drejt luftës përfundimtare”.
Gjatë fjalimit, i cili u përqendrua shumë në rrezikun që Rusia paraqet për botën, ai argumentoi se sfidat e tjera të përbashkëta, si ndryshimi i klimës, mund të trajtohen siç duhet vetëm pasi Moskës t’i jetë treguar vendi.
“Ndërsa Rusia po e shtyn botën drejt luftës përfundimtare, Ukraina po bën gjithçka për të siguruar që pas agresionit rus askush në botë nuk do të guxojë të sulmojë asnjë komb”, u tha Zelensky liderëve botërorë që marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme vjetore.
Ai theksoi gjithashtu se Rusia thjesht nuk ka “të drejtë të mbajë armë bërthamore”.
“Armatimi duhet të frenohet, krimet e luftës duhet të ndëshkohen, njerëzit e dëbuar duhet të kthehen në shtëpi dhe pushtuesi duhet të kthehet në tokën e tij. Duhet të jemi të bashkuar për t’ia dalë dhe do ta bëjmë!”. Ai gjithashtu akuzoi Moskën për kryerjen e “gjenocidit” duke rrëmbyer fëmijë ukrainas.
Kjo është hera e parë që Zelensky është i pranishëm fizikisht në sallën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.