Zelensky: Një numër i madh ushtarësh nga Koreja e Veriut vdiqën në rajonin e Kurskut
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se luftimet në rajonin e Kurskut, në jug të Rusisë, shkaktuan humbje të mëdha në forcat e dërguara nga Koreja e Veriut për të ndihmuar ushtrinë ruse.
“Vetëm afër fshatit Mahovka, në atë rajon, ditët e fundit ushtria ruse humbi një batalion të tërë ushtarësh nga Koreja e Veriut, si dhe pjesëtarë të njësive paraushtarake ruse”, pohon Zelensky në fjalimin e tij.
Ai nuk e specifikoi numrin e ushtarëve, por një batalion zakonisht përbëhet nga rreth 1000 ushtarë.
Në gusht të vitit të kaluar, forcat ukrainase bënë një inkursion të befasishëm në rajonin Kursk të Rusisë, duke marrë kontrollin mbi një numër vendbanimesh në zonë.
Si pjesë e marrëveshjes midis Moskës dhe Phenianit, disa mijëra ushtarë të Koresë së Veriut u dërguan për të përforcuar forcat ruse në front.