Zelensky paralajmëron për veprime mizore të Rusisë në ditën e pavarësisë të Ukrainës

21 gusht 2022 | 16:28

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar të dielën se Rusia mund të bëjë diçka “mizore” gjatë ditëve në vijim pasi Ukraina feston 31-vjetorin e pavarësisë.

“Rusia mund të përpiqet të bëjë diçka veçanërisht të neveritshme, veçanërisht mizore. Një nga objektivat kryesore të armikut është të na poshtërojë dhe të mbjellë dëshpërim, frikë dhe konflikt, por ne duhet të jemi mjaft të fortë për t’i rezistuar çdo provokimi dhe të bëjmë pushtuesit të paguajnë për terrorin e tyre”, ka thënë ai.

Dita e Pavarësisë së Ukrainës të mërkurën, më 24 gusht, shënon gjithashtu edhe gjashtë muaj që nga nisja e pushtimit rus të ish-republikës sovjetike.

Ka zëra se në përvjetorin e pavarësisë së Ukrainës, rusët do të nxjerrin para gjyqit luftëtarët ukrainas të kapur gjatë rrethimit të Mariupolit.

Në qytetin verilindor të Harkivit, guvernatori i qytetit ka shpallur një shtetrrethim nga mbrëmja e 23 gushtit deri në mëngjesin e 25 gushtit. “Ne nuk do të lejojmë asnjë provokim nga armiku. Jini sa më vigjilentë gjatë festës sonë të pavarësisë”, ka shkruar Oleg Synegubov në llogarinë e vet në “Telegram”.

Harkivi ka qenë nën bombardimet e vazhdueshme ruse për javë të tëra dhe të dielën shërbimet e urgjencës thanë se dy civilë të tjerë u vranë në sulmet gjatë natës. Katër civilë janë raportuar të vrarë nga zjarri rus në Donjeck, ka thënë guvernatori i rajonit, Pavlo Kyrylenko.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të dielën bombardimet ruse goditën një zonë banimi në rajonin…