Zelensky përjashton çdo marrëveshje territoriale me Putinin
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka përjashtuar mundësinë e heqjes dorë nga ndonjë territor i vendit të tij në një marrëveshje të mundshme paqeje me Rusinë.
Në një intervistë për BBC-në për të shënuar një vit nga agresioni i Rusisë, ai paralajmëroi se dhënia e tokës do të thotë se Rusia mund të “vazhdojë të kthehet”, ndërsa armët perëndimore do të afrojnë paqen.
Zelensky ka thënë gjithashtu se një ofensivë e parashikuar pranverore veçse kishte filluar.
“Sulmet ruse po ndodhin nga disa drejtime”, tha ai. Megjithatë, ai beson se forcat e Ukrainës mund të vazhdojnë t’i rezistojnë përparimit të Rusisë derisa të jenë në gjendje të nisin një kundërofensivë – megjithëse ai përsëriti thirrjet e tij për më shumë ndihmë ushtarake nga Perëndimi.
“Sigurisht, armët moderne përshpejtojnë paqen. Armët janë e vetmja gjuhë që Rusia kupton”, ka shtuar Zelensky për BBC.
Ai u takua me liderët e Mbretërisë së Bashkuar dhe B-së në javën e kaluar në një përpjekje për të forcuar mbështetjen ndërkombëtare dhe për të kërkuar armë moderne për të mbrojtur vendin e tij. Kur presidenti i Ukrainës kërkoi avionë luftarakë modernë, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak tha se “asgjë nuk është jashtë tryezës”.
Por Kiev është bërë gjithnjë e më i frustruar me shpejtësinë, me të cilën kanë arritur armët perëndimore. Dorëzimi i tankeve të betejës – të premtuara muajin e kaluar nga disa vende perëndimore, duke përfshirë Gjermaninë, SHBA-në dhe Britaninë e Madhe – mendohet se janë ende disa javë larg arritjes në fushën e betejës.
Presidenti Zelensky adresoi gjithashtu një kërcënim nga udhëheqësi i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko për të zhvilluar luftë së bashku me trupat ruse nga territori i tij, nëse një ushtar i vetëm ukrainas kalon kufirin. “Shpresoj se Bjellorusia nuk do t’i bashkohet luftës”, tha ai. “Nëse ndodh, ne do të luftojmë dhe do të mbijetojmë.” Lejimi i Rusisë që të përdorë Bjellorusinë si një stacion për një sulm përsëri do të ishte një “gabim i madh”, shtoi presidenti ukrainas.