Zelensky propozon që eksporti i grurit nga Ukraina të kryhet vetëm me ndërmjetësimin e Turqisë dhe OKB-së
Ukraina i ka propozuar Turqisë dhe OKB-së që korridori i drithit të vazhdojë të funksionojë pa Rusinë, e cila u tërhoq nga marrëveshja të hënën.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky theksoi se Ukraina nuk ka nënshkruar asnjë marrëveshje me Rusinë, dhe se një marrëveshje për eksportin e grurit është nënshkruar me Turqinë dhe OKB-në, transmeton Telegrafi.
“Nisma e grurit të Detit të Zi mund dhe duhet të vazhdojë të funksionojë, nëse duhet pa Rusinë, atëherë pa Rusinë. Marrëveshja për eksportin e grurit me Turqinë dhe OKB-në, mbetet në fuqi. E vetmja gjë që duhet tani është zbatimi i kujdesshëm i tij dhe presioni vendimtar i botës ndaj shtetit terrorist”, tha Zelensky.
Zelensky tha se ai i ka dërguar letra zyrtare presidentit turk Recep Tayyip Erdogan dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, në të cilat ai propozon vazhdimin ose ekuivalentin e saj në një format trepalësh.
“Ukraina, OKB dhe Turqia së bashku mund të sigurojnë funksionimin e korridorit ushqimor dhe inspektimin e anijeve. Kjo është e nevojshme për të gjithë në botë”, tha presidenti ukrainas.