Zelensky: Rrethimi i Mariupolit, krim kundër njerëzimit

29 mars 2022 | 14:56

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se rrethimi rus i qytetit-port të Mariupolit përbën “krime kundër njerëzimit”.

Duke iu drejtuar Parlamentit danez, ai ka thënë se krimet po ndodhin “para syve të të gjithë planetit që po i shikojnë në kohë reale”.

Disa ekspertë ushtarakë kanë sugjeruar se rënia e Mariupolit nën kontrollin rus mund të jetë e pashmangshme, por kanë shtuar se është e pamundur të thuhet se kur ose nëse diçka e tillë do të ndodhë.

Një kolonë e gjatë veturash shihet në rrugët e qytetit të rrethuar të Mariupolit, teksa civilët largohen nga ky qytet që ka pësuar dëme të mëdha nga bombardimet ruse.

Mariupoli, që gjendet në jug të Ukrainës, ka përjetuar sulmet më të ashpra ruse, teksa dhjetëra-mijëra civilë ende mbeten të bllokuar në këtë qytet që ka mbetur pa rrymë, ujë apo gaz.

Për shkak se qyteti është i rrethuar dhe po bombardohet vazhdimisht, civilët po kanë vështirësi që të evakuohen.

Agnes Callamard, sekretare e përgjithshme e organizatës Amnesty International e ka akuzuar Rusinë se ka kryer krime lufte në këtë qytet.

“Rrethimi i Mariupolit, ndalimi i evakuimit humanitar të banorëve dhe shënjestrimi i civilëve, sipas hetimit të Amnesty International përbëjnë krime lufte”.

“Ky është realiteti i Ukrainës për momentin”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Rusia mohon se shënjestron civilët, pavarësisht dëshmive se sulmon ndërtesa banimi dhe objekte të tjera joushtarake në mbarë vendin, përfshirë edhe në Mariupol.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendësministri i Mbrojtjes së Rusisë, Alexander Fomin, ka thënë se…