Zelensky: Rusët kanë shkatërruar plotësisht Donbasin
Presidenti i Ukrainës, Volodomyr Zelensky ka deklaruar se forcat ruse kanë “shkatërruar plotësisht” rajonin lindor të Donbasit.
Ai ka akuzuar Moskën se po rrit presionin e bombardimeve brutale. Në fjalimin e mbajtur të enjten mbrëma, Zelensky thekoi se Kremlini kishte përqendruar të gjitha forcat ushtarake mbi Donbas.
Zelensky gjithashtu përsëriti se Rusia po kryente gjenocid dhe tha se ata që “japin dhe zbatojnë urdhra kriminalë” do të sillen para drejtësisë “brenda gjykatës”.
“Është ferr atje dhe kjo nuk është një ekzagjerim”, vijoi duke thënë presidenti i Ukrainës, i cili shtoi se “forcat ruse kanë shkatërruar plotësisht rajonin e Donbasit në një përpjekje të qëllimshme për të vrarë sa më shumë ukrainas të jetë e mundur”.
Duke folur në një video të postuar në llogaritë e tij në rrjetet sociale, Zelensky vijoi duke thënë: “Donbasi është shkatërruar plotësisht. E gjithë kjo nuk ka dhe nuk mund të ketë ndonjë shpjegim ushtarak për Rusinë. Ky është ai që do të cilësohet si gjenocid i popullit ukrainas dhe për të cilin pushtuesit patjetër do të sillen para drejtësisë. Tashmë ka filluar gjyqi i parë në Ukrainë kundër një krimineli lufte rus dhe do të përfundojë me rivendosjen e plotë të drejtësisë brenda gjykatës ndërkombëtare. Unë jam i sigurt për të. Të gjithë ata që japin dhe zbatojnë urdhra kriminalë do t’i gjejmë dhe nxjerrim para drejtësisë”.