Zelensky: Rusia do të dërgojë ushtarë koreanoveriorë në betejë brenda ditësh
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar të enjten se Rusia e ka ndër mend të dërgojë trupa nga Koreja e Veriut në vijën e parë të luftës nga 27 tetori.
Një ditë më herët, shërbimi i inteligjencës ushtarake të Ukrainës tha se njësitet e para koreanoveriore, të stërvitura në Rusi, janë dërguar tashmë në rajonin e Kurskit, i cili ndodhet në kufi me Ukrainën.
Forcat ukrainase e nisën një inkursion të madh në gusht në Kursk dhe kanë kapur territor atje.
Kievi thotë se ky territor po përdoret si zonë e sigurisë kundër sulmeve të Rusisë në Ukrainë.
Zelensky tha të enjten se “ushtarët e parë nga Koreja e Veriut pritet të dërgohen nga Rusia në zonat e luftës së shpejti, më 27-28 tetor”. Ai e cilësoi këtë si “përshkallëzim të pastër nga Rusia”.
“Bota mund ta shohë qartazi qëllimin e vërtetë të Rusisë, që është vazhdimi i luftës”, tha ai.
“Për këtë arsye, një reagim i fuqishëm nga liderët globalë është thelbësor”, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara thanë më 23 tetor se 3.00 ushtarë koreanoveriorë janë dërguar në Rusi.
I pyetur nëse ka trupa koreanoveriorë në Rusi, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, as nuk e pranoi, e as nuk e mohoi.
I pyetur për fotografitë satelitore të trupave gjatë një konference pas një samiti në Kazan të Rusisë, Putini tha se “fotografitë janë gjë serioze, nëse ka fotografi, atëherë ato pasqyrojnë diçka”./REL