Zelensky shkarkon ministrin e Mbrojtjes

03 shtator 2023 | 21:55

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shkarkuar zyrtarisht ministrin e Mbrojtjes, Oleksii Reznikov, i cili ka qenë në detyrën më të rëndësishme shtetërore në Kiev (pas Presidentit), që prej fillimit të agresionit rus në Ukrainë 24 shkurtin e vitit 2022.

Arsyet ende nuk janë bërë me dije nga Zelensky, përtej njoftimit se Reznikov nuk është më ministër në kabinetin e tij.

“Oleksiy Reznikov ka kaluar më shumë se 550 ditë luftë në shkallë të gjerë”, tha Zelensky në fjalimin e tij të përditshëm të mbrëmjes. “Unë besoj se ministria ka nevojë për qasje të reja dhe formate të tjera të ndërveprimit si me ushtrinë ashtu edhe me shoqërinë në përgjithësi”.

Po ashtu pritet të mësohet pasuesi i Reznikov në detyrën e lartë, ku Zelensky mendon të propozojë Rustem Umerov, shefin e fondit kryesor të privatizimit në Ukrainë.

Disa muaj më parë, vetë Zelensky kishte kërkuar të shuheshin hamendësimet se ministri i tij do të zëvendësohej.

Kjo, pasi mediat kishin publikuar pikërisht skenarë rreth këtij vendimi.

Që prej shkurtit, u raportua se Reznikov mund të zëvendësohej nga shefi i Inteligjencës ushtarake, Kyrylo Budanov.

Reznikov madje pritej ta shpallte vetë dorëheqjen, sipas raportimeve. Por, diçka e tillë nuk ndodhi.

Reznikov, në bazë të burimeve mediatike ukrainase në shkurt, nuk do të largohej krejtësisht nga kabineti, por atij do t’i besohej një post i ri dhe në konsideratë, po merren dikasteri i Drejtësisë dhe ai i Industrive Strategjike.

Nuk dihet ndërkaq nëse diçka e tillë do të ndodhë tashmë.

Vetë Reznikov, më parë, ka dhënë sinjale se mund të jetë drejt largimit, pasi është shprehur se jo gjithkush e ka të përjetshëm postin e tij në shërbim të popullit.

Pavarësisht kësaj, arsyeja e vërtetë e lëvizjes, mendohet se mund të jetë ajo e shpërthimit të një sërë skandalesh korruptive në Ukrainë, ku edhe Ministria që Reznikov drejton, u përfshi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Flamuj të shumtë të Republikës së Kosovës, janë parë krah…