Zelensky shpreson për ‘masa të forta’ nga ShBA-ja nëse Rusia s’e pranon propozimin për armëpushim

12 mars 2025 | 14:51

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se beson që Kvivi “mund të presë” që Shtetet e Bashkuara të marrin “masa të forta” kundër Rusisë nëse Moska refuzon propozimin për armëpushim të rënë dakord nga Ukraina dhe ShBA të martën, raporton “CNN”.

“Sipas asaj që kuptoj, ne mund të presim hapa të fortë. Nuk e di detajet, por po flasim për masa përkatëse sanksionuese dhe forcimin e Ukrainës”, ka thënë Zelensky.

Duke folur para gazetarëve të mërkurën, Zelensky ka thënë se Ukraina pranoi një armëpushim 30 ditorë të propozuar nga ShBA, i cili do të përfshinte një ndalim të luftimeve në det, në ajër dhe në tokë.

Ai ka thënë se kjo periudhë do të përdorej për të përcaktuar kushtet e një marrëveshjeje të ardhshme paqeje – përfshirë çfarë lloj garancish sigurie mund të ofrohen nga aleatët perëndimorë të Ukrainës.

“Çdo gjë varet nga Rusia. ShBA-ja ndërmorën hapa, Ukraina e bëri të qartë pozicionin e saj. Tani Rusia duhet të përgjigjet”, ka thënë lideri ukrainas në konferencën për shtyp në Kviv.

Zelensky është pyetur disa herë se çfarë do të ndodhte nëse Rusia do ta thyente armëpushimin 30-ditor, por ai nuk dha përgjigje konkrete – duke sugjeruar se detajet e çfarëdo armëpushimi ende duhet të përcaktohen.

Rusia deri më tani ka refuzuar ta komentojë planin, me zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, që ka thënë më herët të mërkurën se Moska po pret që të informohet nga zyrtarët amerikanë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas medaljeve që i fituan në Grand Prix në Austri,…