Zelensky takohet me krerë të shteteve në Singapor, u kërkon mbështetje për samitin e sigurisë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Diagloun Shangri-La të dielën tha se diplomacia – në formën e një samiti paqeje më vonë këtë muaj – është mënyra më për t’i dhënë fund një “lufte mizore” që ka vrarë mijëra njerëz në vendin e tij që nga viti 2022.
Në një fjalim dhe sesion pyetje-përgjigje në konferencën e sigurisë në Singapor, Zelensky tha se 106 vende dhe organizata kishin nënshkruar për samitin e paqes në Zvicër.
Ai tha se është zhgënjyese që disa liderë botërorë nuk kishin ofruar ende mbështetjen e tyre, ndërsa shtoi se Rusia po përpiqej të prishte përpjekjet për paqe.
“Ne jemi të bindur se bota jonë dëshiron të jetë e bashkuar dhe të jetë e aftë të veprojë në harmoni të plotë”, tha Zelensky, raporton Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Ai gjithashtu falënderoi vendet, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë dhe Holandën, për ndihmën e tyre ushtarake, veçanërisht me sistemet e mbrojtjes ajrore.
Zelensky përmendi një sulm rus të dielën me afro 100 raketa – diçka që ai tha se kishte ndodhur qindra herë – ku për të tha se “asnjë vend nuk mund ta përballonte këtë i vetëm”.
Presidenti ukrainas dhe ministri i tij i mbrojtjes, Rustem Umerov, zhvilluan bisedime me Sekretarin e Mbrojtjes të ShBA-së Lloyd Austin për më shumë se një orë të dielën në margjinat e konferencës para fjalimit të tij.
Austin e informoi Zelenskyn për ndihmën ushtarake të Washingtonit për Kievin dhe “ripohoi angazhimin e ShBA-së për të ruajtur mbështetjen e fortë” gjatë takimit, tha një zyrtar i Pentagonit, duke folur në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
“Të dy liderët u zotuan të forcojnë më tej partneritetin strategjik të mbrojtjes midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës”, tha zyrtari i Pentagonit.
Në një fjalim para delegatëve të dielën, ministri kinez i Mbrojtjes Dong Jun tha se vendi i tij ishte treguar i kujdesshëm që të mos mbështeste as Rusinë, as Ukrainën. Pekini ka vendosur të mos marrë pjesë në samitin e Zvicrës.