Zelensky thotë se konflikti Izrael-Gaza ka larguar fokusin nga lufta në Ukrainë
Lufta Izrael-Gaza po “ia heq fokusin” konfliktit në Ukrainë, e ka pranuar presidenti i vendit, Volodymyr Zelensky.
Ai tha se ky ishte “një nga qëllimet” e Rusisë, e cila nisi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Dhe ai mohoi se luftimet në Ukrainë kishin arritur në një ngërç, pavarësisht një vlerësimi të fundit për këtë nga gjenerali më i lartë ushtarak i vendit.
Në konferencën e së shtunës në Kiev me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Zelensky tha: “Është e qartë se lufta në Lindjen e Mesme po ia heq fokusin” Ukrainës.
Ai tha se Rusia donte që ky fokus të “dobësohej”, por theksoi se “gjithçka është në fuqitë tona”.
Zelensky iu kërkua të komentonte vlerësimin e kësaj jave nga komandanti kryesor ushtarak i Ukrainës Valery Zaluzhny se lufta tani po kalonte në një fazë “pozicionale” ose statike, sipas tij, nga kjo do të përfitonte Moska duke “e lejuar atë të rindërtojë fuqinë e saj ushtarake”.
“Të gjithë po lodhen dhe ka mendime të ndryshme,” u përgjigj Zelensky, duke shtuar: “Por ky nuk është një ngërç”.
Ai pranoi se Rusia “po kontrollonte qiejt” dhe se Ukraina kishte nevojë urgjente për avionë luftarakë F-16 të prodhimit amerikan dhe mbrojtje të avancuara kundërajrore për të ndryshuar situatën.
Udhëheqësi ukrainas kujtoi se vitin e kaluar, gjithashtu ishte folur shumë për një ngërç në fushën e gjerë të betejës në Ukrainë – por ai vuri në dukje fitoret e mëvonshme ushtarake të Kievit në rajonin verilindor të Kharkiv dhe Kherson në jug.
Zelensky gjithashtu hodhi poshtë raportimet e mediave se ai ishte nën presion në rritje për të shqyrtuar negociatat me Rusinë.
“Sot, askush midis udhëheqësve të BE-së, SHBA-së dhe të tjerëve – partnerët tanë – nuk po bën presion që ne të ulemi për të negociuar me Rusinë dhe t’i japim diçka asaj. Kjo nuk do të ndodhë.”
Moska javët e fundit është përpjekur të përparojë në Ukrainën lindore dhe verilindore – por ushtria e Ukrainës thotë se të gjitha sulmet janë zmbrapsur, shkruan BBC.